Siri, nuk falet as xhumaja në Gutën Lindore

SHPËRNDAJE

Sërish është anuluar falja e namazit të xhumasë si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të dhunshme në Gutën Lindore në Siri, që gjendet nën bllokadën e regjimit të Bashar al Asadit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Administrata e Xhamive dhe Vakëfeve Islame e lidhur me mexhlisin lokal, e formuar nga opozitarët në Gutën Lindore, mbrëmjen e djeshme nëpërmjet faqes së internetit njoftoi se për shkak të bombardimeve të dhunshme nuk do të falet namazi i xhumasë.

“Për shkak të sigurisë dhe shënjestrimit të qëllimshëm të vendbanimeve ku ndodhen xhamitë, anulohet falja e namazit të xhumasë”, thuhet në njoftim.

Para kohës së xhumasë, muezinët nga minaret e ripërsëritën njoftimin për anulimin e namazit.

Regjimi i Asadit nga 14 nëntori ka intensifikuar sulmet drejt Gutës Lindore, 400 mijë banorët e së cilës i ka mbajtur nën rrethim për 5 vite.

Javën e kaluar, forcat e Asadit nisën operacion tokësor pasi grupet opozitare morën nën bllokadë njërën nga bazat ushtarake që i përkisnin regjimit.

Sulmet e regjimit sirian në qarkun rural Haresta të Gutës Lindore vazhdojnë me mbështetje ajrore nga Rusia.

Ndryshe, në Gutën Lindore të lokalizuar në një distancë 10 kilometërshe nga kryeqyteti Damask, disa herë më parë është anuluar namazi i xhumasë për shkak të sigurisë.