Si e vidhte shtetin imami Shefqet Krasniqi – sipas prokurorisë?

SHPËRNDAJE

Si e vidhte shtetin imami Shefqet Krasniqi – sipas prokurorisë?

Ish- imami i Xhamisë së madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqit, sot ka dalë para gjyqit lidhur me akuzat për shmangie të tatimit.

Lidhur me këtë pikë të aktakuzës ndaj Krasniqit ka dëshmuar edhe Xhemë Shala, si përpilues i një raporti te Administratës Tatimore të Kosovës, për ndërmarrjen ‘Portat’ që është në pronësi të Shefqet Krasniqit.

Shala ka deklaruar se raportin e ka përpiluar në vitin 2016, dhe se sipas tij fillimisht nuk ka mundur të bie në kontakt me Shefqet Krasniqin pasi që ai ka qenë jasht Kosovës.

Ai tha se kur pronari ishte kthyer në Kosovë, nuk ka pasur probleme në kryerjen e punëve të inspektimit dhe “bashkëpunimi ka qenë shumë korrekt”.

“Të gjitha të dhënat që i ka pas, i ka paraqitur”, tha ai.

I pyetur nga trupi gjykues nëse gjatë kontrollit është konstatuar se ka pasur shmangie nga tatimi, inspektori Shala u përgjigj: “Raporti i kontrollit ka rezultu me qarkullim shtesë dhe obligime tatimore konform gjendjes së konstatuar”, shkruan Kallxo.com.

Shefqet Krasniqi lidhur me këtë pikë ka dëshmuar javën e fundit të muajit shkurt. Pati thënë se nuk i ka ikur obligimeve ndaj ATK-së.

“Dhe për këtë kemi sjellë dëshmi të ndryshme dhe sa i përket asaj që na obligohet Zoti mos e dhashtë mos me i kry obligimet tona dhe për atë i kam kërkuar që të jemi vigjilentë ndaj obligimeve ndaj shtetit dhe falë Zotit çdo gjë ka shkuar në rregull. Dhe, pas arrestimit tim hetuesit tatimorë kanë bërë kontroll në kompaninë time dhe çdo gjë ka dalë zero-zero”, tha Krasniqi.

Prokuroria Themelore e Prishtinës e akuzon Krasniqin se i ka ikur tatimit duke e dëmtuar shtetin në vlerën prej 20 mijë eurove.

“Provat tregojnë qartë se i pandehuri në vazhdimësi për vitet 2011-2016, ka jep të dhëna të pavërteta si dhe nuk ka përfshirë-deklaruar të dhanë tjera relevante lidhur me obligimet tatimore dhe si pasojë e sjelljeve të tilla ka edhe shmangie tatimore në: kontributet për punëtor, kontributet për pranar, tatimin e mbajtur në burim, tatimin në të ardhurat personale, tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSh) dhe tatimin në qira, në vlerën e përgjithshme prej 20.208 euro”, thuhet në aktakuzë, shkruan Insajderi.