SHPËRNDAJE

Ai ishte patriot, mësues, publicist, veprimtar i angazhuar në veprimtari të pandara politike, kulturore e shkencore, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, në atë të Lushnjës në 1920 dhe në Kongreset arsimore të Tiranës të viteve 1922, 1924, anëtar i Komisisë Letrare në Shkodër në 1916-17, figurë e shquar dhe personalitet i spikatur i Mati Logorecit.

Mati Logoreci

Ai lindi në Shkodër, pinjoll i Logorecëve që përmenden që në vitet 1300 si Logorenseos. Mati Logoreci ishte mësues në shkollën e parë shqipe në Prizren ku punoi me përkushtim për 15 vjet me radhë. U njoh me studiues të shquar të historisë sonë në trevat shqiptare.

Dha e mori materiale shkencore me Dom Mjedën, Xhuvanin, Joklin, Ivanajn, Gurakuqin e jo pak të tjerë. U kthye në Shkodër dhe vazhdoi veprimtarinë në shumë fusha. Mori pjesë në Shoqninë Agimi të krijuar nga Dom Mjeda më 1901 dhe drejtoi nga Shkodra gazetën “Dashamiri” që nxirrte Nikolla Ivanaj në Trieste.

Polemizoi me armiqtë e çështjes kombëtare për probleme të gjuhës. U mor edhe me çështjen e alfabetit shqip. Mbajti fjalime të zjarrta atdhetare para qytetarëve shkodranë, duke theksuar nevojën e unitetit të popullit në luftën kundër armiqve të çështjes kombëtare. Ishte mjaft aktiv në krijimin e Klubit “Gjuha shqype” në Shkodër.

Botoi Histori të Shqypnisë dhe punoi mësues e drejtues shkolle edhe në Tiranë. Në vitin 1913 u burgos prej esadistëve, por nuk u tërhoq nga veprimtaria atdhetare. U emërua në Shkodër drejtor e inspektor i arsimit së bashku me Luigj Gurakuqin e më pas mësues në Normalen e Elbasanit. Në Kongresin e Lushnjës mori pjesë si përfaqësues i Shkodrës, Malësisë, Pukës e Lezhës. Pjesëmarrës në Kongreset arsimore të viteve 1920-24, është ndër të parët specialist-inspektor i Ministrisë së Arsimit.

Dha ndihmesën e vet në Instituitn e Studimeve Shqiptare, së bashku me Xhuvanin, Poradecin, Kamsin, Çabejn. Është autor i disa librave për nxënës e të rritur: Ndodhina historike të moçme, Abetare, Plotsori i abetarit, Libër i mësuesit për përdorim të abetarit, Libër leximi për shkollat e mesme, Histori e përgjithshme I, II, Fjalor i leximit për moshën e njomë e libra të tjerë, kryesisht për shkollën shqipe. Për këto veprimtari u fut disa herë në burgje, por nuk u tërhoq.

Në atmosferën e rëndë të pushtimit fashist vdiq në Tiranë në shkurt të vitit 1941. U përcoll me nderim nga populli, që e deshi shumë njeriun e thjeshtë e të madh, Mati Logorecin. Ai mbetet një nga figurat e shquara patriotike të shkollës e arsimit shqiptar.