Pas Amdi Bajramit edhe Artan Grubi thotë se Ligji për gjuhët do të votohet shumë shpejtë

SHPËRNDAJE

Në Kuvend sipas informatave jozyrtare nesër do të mbahet vazhdimi i seancës së radhës në tentim për të gjetur zgjidhje të mbi 35 mijë amendamenteve nga ana e VMRO-DPMNE-së për ligjin e gjuhëve, transmeton Medial.mk.

Deputeti i BDI-së Artan Grubi sot ka përsëritur se ligji për gjuhët këtë javë duhet të sillet dhe pret që VMRO-DPMNE të votojë ‘pro”.

“Presim që VMRO-DPMNE të votojë për ligjin e gjuhëve në Kuvend, pasi ata me ne dhe LSDM-në janë bashkautorë të ligjit dhe nënshkrues të Marrëveshjes së Ohrit. Me votimin ‘pro’ ligjit do ta tregojnë fytyrën e re të VMRO-së, veçmas ndaj bashkësisë shqiptare, por edhe bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Grubi për Mkd.mk.

Deklarata e Grubit vjen një ditë pas deklaratës së deputetit Amdi Bajram, i cili poashtu kërkoi që ligji i gjuhëve të votohet sa më shpejtë.

Bajram, i cili është pjesë e koalicionit të LSDM-së thotë se Ligji i gjuhëve është kushtetues dhe jokushtetues, por gjithsesi duhet të votohet pa vonesa.

Bajram për Makfaks tha se ai ashtu është formuluar dhe ashtu duhet të jetë dhe se ai nuk ka asgjë kundër ligjit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Nuk duhet të ketë vonesa. Nuk është një punë e madhe nëse Ligji për gjuhët votohet dhe nuk ka asnjë pengesë për këtë. Unë e vlerësoj si kushtetues – jokushtetues. Faktori i jashtëm nuk bën presion, nëse duam të shkojmë në BE dhe NATO duhet t’i përmbahemi asaj që do të na thonë”, tha Bajram.

Përndryshe, javën e kaluar Amdi Bajram ishte deputeti i vetëm që priti në sallën e Kuvendit për më shumë se një orë që të fillojë seanca, ndërsa ajo pastaj u shty.