Gjenerali amerikan paralajmëron trupat e tij: “Lufta po vjen” (Video)

SHPËRNDAJE

Komandanti i marinasave amerikanë ka paralajmëruar ushtarët e tij të stacionuar në Norvegji, që të përgatiten për luftën e ardhshme, shkruan Fox News.

“Shpresoj ta kem gabim, por lufta është duke ardhur”, ka deklaruar gjenerali Robert Neller gjatë një vizite që u ka bërë trupave të tij, transmeton Telegrafi.

“Me prezencën e juaj këtu ju jeni duke bërë luftë politike dhe atë të informacionit”, ka shtuar ai.

Neller pretendon se në një ardhme të afërt Rusia dhe Paqësori mund të jenë zona të konflikteve.

Njëjtë mendon edhe kolegu i tij Ronald Green, i cili ua rikujtoi ushtarëve se mos të harrojnë se për çfarë janë këtu.

“Ata janë duke ju shikuar ju, ashtu siç ne po i shikojmë ata. Shumë lehtë ekziston mundësia që ta rrisim numrin e marinsave në këtë vend nga 300 në 3 mijë”, ka shtuar ai.

Ky paralajmërim vjen një ditë pasi Ministri i Mbrojtjes, Jim Mattis, u tha ushtarëve në Fort Bragg se mbi gadishullin Korean “janë ngritur disa re të zeza”.

Shkuarja e Nellerit dhe Greenit në Norvegji koincidoi me rritjen e tensioneve midis SHBA-ve, dhe aleatëve të saj në NATO dhe Rusisë. Sipas ueb-faqes military.com, Rusia ka paralajmëruar Norvegjinë që vendimi për të pranuar një njësi të re të ushtrisë amerikane që do të qëndrojnë deri në fund të vitit 2018, do të ndikojë negativisht në raportet  reciproke.

Ndërkaq, Norvegjia i është kundërpërgjigjur duke thënë se prezenca e ushtarëve amerikanë nënkupton forcimin e lidhjes me NATO-në, të cilëve u ka mundësuar të bëjnë ushtrime në kushte ekstreme.

Neller beson se SHBA-të mund ta ndërrojnë fokusin nga Lindja e Mesme në Evropën Lindore.

Rusia duket qartë se nuk është e kënaqur me prezencën e trupave amerikane afër kufijve të saj, ku që nga qershori i vitit 2016, afro 300 marinsa amerikanë janë stacionuar në Norvegji, që njëherit konsiderohen si trupat e para të huaja në vend që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Në shtator të këtij viti Rusia ka kryer një ushtrim të përbashkët me fqinjin e saj Bjellorusinë, ku kanë marrë pjesë 12.700 ushtarë.