Foto/ Tensioni me SHBA-të, armatimet ruse për Sirinë kalojnë në Bosfor

SHPËRNDAJE

Anije me tanke dhe mjete të tjera ushtarake drejt Sirisë

Pas sulmeve ajrore të SHBA-ve, Francës dhe Britanisë ndaj regjimit sirian të Bashar al-Asadit si ndëshkim për përdorimin e armëve kimike ndaj popullsisë së pambrojtur, Rusia vazhdon të dërgojë armatime të rëndë drejt Damaskut.

Mëngjesin e së hënës media turke raportoi se në ngushticën e Bosforit dhe në Dardanele ka kaluar anija ruse “Orsk”, e cila transporton tanke dhe mjete të tjera ushtarake.

Në rrugëtimin e saj nëpërmjet ngushticave turke për në Siri, anija ruse shoqërohej nga anije të rojës bregdetare turke. Pas kalimit të ngushticave, anija vazhdoi lundrimin në Detin Egje për të vijuar më tej drejt Sirisë.

Dy ditë më parë, një tjetër anije transporti e mbushur me tanke dhe mjete të tjera ushtarake ruse lundroi drejt Sirisë. Presidenti Putin vazhdon kështu mbështetjen me armatime ndaj aleatit të tij, Bashar Al-Assad në luftën kundër grupeve opozitare.

Mbi 400 mijë persona kanë humbur jetën dhe miliona të tjerë janë larguar nga Siria që prej nisjes së luftës civile në vitin 2011. Prej asaj kohe, Putin ka bllokuar të gjitha iniciativat e ndërmarra në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të ndëshkuar regjimin e Asadit. /tvklan.al