SHPËRNDAJE

Filloi gjykimi për lëndën “Monstra”, Fetai i bëri të qajnë familjarët e të vrarëve

Në Gjykatën Penale sot filloi seanca për lëndën “Monstra” gjegjësisht vrasjen e pesëfishtë afër liqenit të Smillkovës më 12 prill të vitit 2012.

Gjykimi për “Monstrën” fillon nga fillimi sepse lëndën e ka marrë Prokuroria Publike Speciale.

Në sallën e gjykatës janë prezent Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Fejzi Aziri dhe Sami Luta, si dhe familjarët e fëmijëve të vrarë.

Në seancë nuk janë të pranishëm i akuzuari i parë Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, të cilët janë të pakapshëm për gjykatën.

Në fillimin e seancës prokurorja Fatime Fetai tha se PPS e mori këtë lëndë kur Gjykata Supreme i shfuqizoi aktvendimet e gjykatës së shkallës së parë dhe shkallës së dytë dhe lënda është kthyer për gjykim të sërishëm.

Prokurorja Fetai nga gjykata kërkoi edhe i akuzuari i parë edhe i dytë të gjykohen në mungesë, sepse janë të pakapshëm. Derisa Fetai e lexonte aktakuzën, një pjesë e familjarëve të vrarë qanin në sallën gjyqësore.

Pasi prokurorja Fetai e lexoi aktakuzën e parashtruar nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, deklaratë para gjykatës dha i akuzuari i tretë Agim Ismailoviq. Tha se qëndron në deklaratën që e ka dhënë para gjashtë vjetëve – se nuk e ka kryer veprën për të cilën akuzohet dhe nuk ndjehet fajtor.

Masakra pranë Liqenit të Smillkovës ndodhi më 12 prill 2012, para festës së madhe krishtere Pashkët, kur u vranë djemtë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski.

Për vrasjen e pesëfishtë u hap lënda “Monstra”, ndërsa me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Gjykata Supreme në dhjetor të vitit të kaluar i shfuqizoi aktvendimet, i liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe ua përcaktoi masën e kujdesit. Për gjykatën ende të pakapshëm janë Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq për të cilët janë shpallur urdhërarrestime.