19 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit, ç’tha i biri në Kuvendin e Kosovës më 27 prill

SHPËRNDAJE

Janë bërë 19 vjet kur në rrethana ende të pa ndriçuara  është zhdukur veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti.

Ai u lirua më 16 maj të vitit 1999 (e dielë) nga qelia e burgut të Dubravës dhe nga ajo kohë nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Pikërisht për fatin e të pagjeturve, deputeti Andin Hoti, i biri i Ukshinit, në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur më 27 prill bëri thirrje që të zbardhet fati i të zhdukurve dhe t’i jepet fund akthit të tyre prej gati dy dekadash.

 “Sot është një ditë e shenjtë dhe po kam emocione por më kuptoni. Sot thirrëm këtë debat jo vetëm për të ndarë dhimbjen me familjarët, por për të kërkuar zgjidhje dhe t’i japim fund këtij ankthi 19-vjeçar. Këtë ndjenjë e kuptojnë ata që kanë humbur dikë, si është të rritesh pa baba”, tha Andin Hoti.

Sipas tij, Kosova ka fakte për gjenocidin që e ka kryer Serbia dhe duhet të shfrytëzohen.

“Shteti duhet ta bëjë këtë sepse është gjë e mundur. Si djalë i Ukshin Hotit e ndjej obligim të bëj thirrje për zbardhjen e fatit të të zhdukurve”, deklaroi Hoti.

Sot do të mbahet një tubim sensibilizues për fatin e Ukshin Hotit me rastin e Javës së Ukshin Hotit, që organizohet në Krushën e Madhe, vendlindjen e tij.